PortalForumCalendarPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Arsyeja dhe interesi partiak

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Ervina
Antare++
Antare++
avatar

Numri i postimeve : 87
Registration date : 18/01/2009

MesazhTitulli: Arsyeja dhe interesi partiak   Tue Jan 20, 2009 5:56 am

Politika shtetërore udhëhiqet nga të dyja, edhe nga "arsyeja", edhe nga "interesi". Është një raport i ndërsjellët: arsyeja i hap rrugë realizimit të interesit, ndërkohë që "interesi" determinon "arsyen".

Në momentet aktuale të zhvillimeve në shtetin e pavarur të Kosovës po mbisundon varianti i dytë i raportit: determinimi i "arsyes" nga "interesi" partiak. Në këtë përfundim çojnë zhvillimet më të fundit politike, kur opozita partiake në Kuvend dhe kundërshtarë të qeverisjes, kërkojnë në rrugë ligjore dhe mediatike deklarimin në Kuvend të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe natyrshëm, edhe të kabinetit aktual qeveritar.

Në një sistem demokratik, opozita politike jo vetëm ka të drejtë, por edhe ka për detyrë t‘i bëjë "gjyqin" qeverisë dhe qeverisjes. Ajo duhet të vëzhgojë, të mbajë "shënim" dhe të "dënojë" çdo shkelje ligjore e kushtetuese të administrimit të shtetit. Duhet pranuar që qeveria aktuale e Kosovës nuk ka arritur të përmbushë premtimet e para dhe të pas shpalljes së pavarësisë. Por cila parti apo cili përfaqësues i shoqërisë civile ka "arsyetuar" dhe ca më pak ka "besuar" se mund të bëhej më tepër dhe se nën një tjetër qeverisje mund të bëhej më shumë?!

Opozita ka detyrimin kundërvënës ndaj qeverisjes, por arsyeja e mbështetur mbi zhvillimet e ecurisë kombëtare dhe ndërkombëtare për konsolidimin e shtetit tonë dhe njohjes përgjithësisht nga anëtarët e OKB-së fillon e ngec në përballje me një fakt të veçantë.

Pakënaqësitë e opozitës ndaj qeverisjes aktuale janë shumëplanëshe dhe me burime të ndryshme. Prej kohësh është shtruar publikisht, madje e përsëritur, që institucionet legale shtetërore të Kosovës nuk kanë një strategji të formuluar e të miratuar nga Kuvendi për politikën e jashtme. Dikush tjetër vë në shënjestër mangësitë e qeverisjes në çështjet sociale, ekonomike, infrastrukturore e arsimore. Një parti parlamentare në opozitë kërkon në interpelancë kreun e qeverisë, Thaçin, për të raportuar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian, që sipas kësaj partie shënon një kthim mbrapa në raport me vitin 2007.

Kritikat ndaj mazhorancës qeverisëse në Kosovë, që deri para pak ditësh kufizoheshin me mangësi të saj për politikën e jashtme e të brendshme, në përmasat e shtrirjes së pushtetit të Prishtinës, kulmuan me deklarimin publik për zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Nuk mund ta kundërshtoj këtë kërkesë. Normalisht, në vendet e konsoliduara demokratike, opozita, që të nesërmen e humbjes në zgjedhje, gëzon të drejtën dhe detyrimin të kërkojë dhe përgatitjet e zgjedhjeve të reja. Kjo procedurë ndiqet dhe respektohet në vendet e sipërpërmendura, por më duket e pavend te ne. Kosova supervizohet, administrohet dhe sigurohet nga ambiciet nacionaliste serbe prej organizatave ndërkombëtare, nga UNMIK-u, KFOR-i, EULEX-i dhe organizmat vartëse. Kjo është arsyeja që, kërkesën për zgjedhje parlamentare në 2009-ën, e konsideroj më tepër rrjedhojë të interesave partiake, sesa të arsyes, të frymëzuar e të ngritur mbi elementë që fuqizojnë pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Të kërkosh, i motivuar për përmirësim të një realiteti, është e lavdërueshme. Por, ta bësh këtë gjë, kur Kosova shtet, në instancën e institucioneve më të larta shtetërore ende nuk ka ndarë dhe, rrjedhimisht, nuk ka marrë kompetencat nga UMNIK-u dhe EULEX-i, është më tepër shfaqje dhe interes partiak, për të mos thënë interesa personale.

Diku kam lexuar që politika është "Arti i së mundshmes" dhe, nisur nga ky përkufizim, unë mirëkuptoj këdo që kërkon të shfrytëzojë çdo mundësi për të rifituar atë që synon. Por nuk kuptoj dhe nuk pajtohem me gjithkënd, që për interesa personale apo partiake, vënë në diskutim probleme që dëshirohen, stimulohen e synohen nga Beogradi për destabilitet të Republikës së Kosovës. Ambiciet dhe interesat partiake apo personale janë "të arsyeshme", por për realizimin e tyre duhet të presin:

-Të presin që Republika e Kosovës të njihet gjerësisht, ndërkombëtarisht dhe të anëtarësohet në OKB.

- Të qartësojë dhe të marrë kompetencat e natyrshme të pushtetit shtetëror në të gjithë territorin e Republikës.

- Të shndërrohen në një subjekt shtetëror me të drejtën morale dhe politike për kërkesë anëtarësimi në BE dhe në NATO.

Opozita aktuale ka të drejtën dhe detyrimin të kritikojë dhe t‘i kundërvihet shumicës. Por, aktualisht opozita, që nuk mund të bëjë të "paditurin" për shtetin dhe ushtrimin e pushtetit në Republikën e Kosovës, duhet të vendosë arsyen para interesave partiake.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Arsyeja dhe interesi partiak
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Te Tjera :: Lajme :: Lajmet e dites-
Kërce tek: